E PERJAVSHME E AKTUALITETIT

80 FAQE TE ILUSTRUARA



SALIHI – AMERIKANËT E SOLLËN NË TIRANË

Si negociuan shërbimet sekrete për të çuar Jahon në bankën e të akuzuarve


Nga Mentor Kikia

Jaho Salihi, një ndër të akuzuarit kryesorë për vrasjen e deputetit demokrat Azem Hajdari i ka dhënë fund në mënyrë të vullnetshme periudhës së ilegalitetit. Nga qyteti fqinj me Tropojën, Gjakovë, ai ka udhëtuar për në shtëpinë e vjehrrit të tij, i vetëdijshëm se aty do të vinin forcat speciale të policisë për të dërguar dy ditë më pas në bankën e të akuzuarve, ku janë disa prej të akuzuarve për ngjarjen e 12 shtatorit të vitit 1998. Prapaskena ka qenë shumë e pastër. Jaho Salihi mund të arrestohej dhe të dërgohej në Shqipëri fare lehtë. Vendodhja e tij ishte e saktë për policinë shqiptare. Por për të lehtësuar një sërë procedurash që kishin të bënin me ekstradimin, është bërë një marrëveshje “xhentëlmenësh” që ai të shkonte vetë në pusinë e policisë. Në Gjakovë ai ka qenë një personazh shumë i identifikuar, qoftë për njerëzit e thjeshtë, qoftë për policinë ndërkombëtare që siguron rendin në Kosovë. Nëse do të ishte vepruar ndryshe ai mund të shpallej person i padëshirueshëm për këtë vend dhe mund ti përcillej policisë shqiptare në Pikën e Kalimit Kufitar të Morinit, sikurse është vepruar në disa raste, kur janë dorëzuar disa kriminelë ordinerë. Por shteti shqiptar ka preferuar një tjetër manovër. Dhe kjo i është besuar njërëzve të shërbimit sekret SHISH. Kanë qenë pikërisht këta që kanë vendosur lidhjet dhe kanë biseduar me Salihin. Burime shumë të sigurta në Ministrinë e Rendit e pohojnë këtë duke shtuar se kishte disa kohë që agjentët e shërbimit sekret ishin duke punuar për këtë çështje. Derisa kanë arritur ta bindin atë të kthehet në Tropojë për të “vizituar” familjen e tij, gjë të cilën ai e ka bërë edhe më parë. Pas kësaj është lajmëruar policia për ta marrë. Nuk dihet me saktësi nëse policia kishte dijeni për këtë ndërmjetësim apo ajo ka ndërmarrë operacionin për arrestimin e tij pas njoftimit që ka marrë nga shërbimi sekret. Këtë ndërmjetësim e ka pranuar për revistën XXL edhe vetë kryetari i shërbimit sekret zoti Fatos Klosi. Duke mos pranuar të japë detaje të këtij operacioni, zoti Klosi pranon se shërbimi që ai drejton ka punuar për këtë çështje, duke siguruar vendodhjen dhe survejimin deri në detaje të lëvizjeve të Salihit. “Ne e identifikuam vendodhjen dhe lëvizjet e tij dhe në momentin final vumë në dijeni Ministrinë e Rendit” – tha zoti Klosi për XXL. Por burime të tjera flasin për një kontribut akoma më të madh të këtij shërbimi. Por duket se gjërat i kanë kaluar edhe kufijtë e një operacioni shtetëror. Të tjera burime flasin për një angazhim të amerikanëve që veprojnë në Kosovë. Veprimet e shërbimit tonë sekret kanë qenë të mirëkordinuara, për të mos thënë të kontrolluara, nga njerëz të amerikanëve në Shqipëri dhe në Kosovë. Madje kanë qenë ata që kanë propozuar negociimin me Salihin dhe sjelljen e tij në Shqipëri. Nuk ka të dhënë për detaje të marrëveshjes, por duket se Salihi është vënë përballë kushteve që mund të rëndonin pozitën e tij dhe ka pranuar të jetë i pranishëm në bankën e të akuzuarve për të pranuar se ai ka qenë njëri ndër pjesëmarrësit në ekzekutimin e deputetit Hajdari. Një detaj që duket se i shton një argument më shumë kësaj, është fakti se Salihi u kap duke mos bërë asnjë rezistencë dhe para së gjithash ai nuk kishte asnjë armë në shtëpi. Gjë e cila duket krejt e pamundur edhe sikur policia të shkonte në shtëpinë e një tropojani të thjeshtë, e jo më në shtëpinë ku ishte strehuar njeriu që ishte shpallur si më i kërkuari nga policia në shumë vende.

Gjithësesi një gjë është e qartë. Që Jaho Salihi të vinte në bankën e të akuzuarve u desh një angazhim shumë i madh i shumë strukturave. Dhe ai erdhi në gjykatë pikërisht kur në proces kishin filluar të bëheshin deponimet e para të dëshmitarëve. Dhe kjo do të bëjë që të paktën autorët e një prej ngarjeve që ka trazuar më shumë se çdo gjë tjetër politikën shqiptare, të mësohen përfundimisht. Dhe në këtë pikë duket se inetersat e shtetit shqiptar dhe shtetit amerikan janë puqur.

Retrospektiva e pa thënë

Jaho Salihi u përmend nga akuza e lexuar në senacën e parë të procesit, si ekzekutori direkt i Hajdarit. Por ditën e martë në bankën e të akuzuarve ai iu përqigj në mënyrë pohuese akuzës që lexoi gjykatësi, ku ai figuronte si njëri ndër ekzekutorët e deputetit demokrat. Burime të besueshme nga ministria e Rendit Publik, që kanë qenë në dijeni për të gjitha lëvizjet që pasuan atentatin tragjik të natës së 12 shtatorit, se në makinën e vrasësve kanë qenë Jaho Salihi, Feriz Kërnaja, Halil Haklaj dhe Fatmir Haklaj. Ata dyshojnë se vrasësi i vërtetë ka qenë pikërisht Kërnaja. Por nga kjo katërshe tashmë gjallë është vetëm Salihi, pasi tre të tjerët janë vrarë në atentate të njëpasnjëshme në Tropojë. Pas vrasjes i pari që ka shkuar në zyrën e ish ministrit të Rendit Perikli Teta ka qenë Fatmir Meta, i cili i ka thënë ministrit se një ditë më parë atij Jaho Salihi i kishte kërkuar makinën për disa orë. Dhe ishte pikërisht makina e Metës me të cilën lëvizën vrasësit pas ngjarjes. Po sipas këtyre burimeve, një tjetër personazh enigmatik në këtë histori mbetet Izet Haxhia. Ai ishte ndër më rebelët në ngjarjet e 13 dhe 14 shtatorit, që pasuan vrasjen e Hajdarit. Ai ishte në krye të turmës që sulmoi dhe dogji zyrat e kryeministrisë dhe ministrive të tjera dhe askush nuk mund të mendonte se ai kishte marrë pjesë apo kishte dijeni në vrasjn e Hajdarit. Emrin e tij prokuroria e nxori shumë vonë, por pa dhënë asnjë sqarim se cili ka qenë roli i tij. Një nga dëshmitarët e parë që foli në proces – një efektiv i policisë – tha se kur e vranë Azemin e morën në telefon nga brenda Partisë Demokratike që të dilte jashtë. Një fakt ky që tashmë është bërë publik me kohë. Burime nga prokuroria thonë se për këtë element mund të akuzohet pikërisht Haxhia, por këtë askush nuk e konfirmon zyrtarisht. Gjithësesi, tashmë në bankën e të akuzuarve janë dy vëllezër të Izetit, Isamedini dhe Ismeti. Edhe për këtë akuza nuk ka një detaje se cili ka qenë roli që kanë luajtur. Janë vërtet të rëndësishëm për akuzën apo janë një element për të tërhequr Izetin të paraqitet vullnetarisht në gjyq? Kjo gjë mbetet për tu mësuar gjatë procesit.

Perikli Teta – dëshmia e një ministri

Ish Ministri i Rendit që u përball me kryengritjen e 14 shtatorit e që më pas u bë viktima e saj, Perikli Teta, është njeriu që ka më shumë gjëra për të thënë. Disa prej detajave ai i ka bërë të ditura ndërkohë në media të ndryshme gjatë intervistave. Ndërkohë më të dobishmet i ka rezervuar në një dëshmi që depozitoi në muajin shkurt para një trupi gjykues në Gjykatën e Tiranës. Ai u thirr nga prokuroria për të bërë një gjë të tillë me arguimentin se ai duke qenë një dëshmitar i rëndësishëm mund të bëhej objekt i ndonjë atentati dhe për këtë arsye organi i akuzës nxitoi të rezervonte dëshminë e tij.
Por nga ana tjetër, ministri i rendit aktual Ilir Gjoni i vuri në dispozicion një truprojë duke e klasifikuar si një njeri të rëndësishëm për drejtësinë. Por çfarë ka thënë Teta në dëshminë e tij të gjatë në Gjykatën e Tiranës. Pasi doli nga zyra e gjykatësit ai nuk preferoi të bënte komente mbi atë që u tha gjykatësve, por mësohet se në fund të dëshmisë së tij janë renditur disa pyetje. Dy prej tyre janë: Kush dhe pse e liroi Feriz Kërnajën nga burgu një muaj para se të bëhej vrasja? Kush dhe pse e liroi Isamedin Haxhinë nga burgu? Teta tashmë është në Tiranë dhe ai pak të ngjarë ka që të thirret për të bërë dëshminë e tij para gjykatësve. Dhe duket se shkaku është se nëse Teta del para gjykatësve, ai do të kërkojë përgjigje për pyetjet që ka bërë në fund të dëshmisë. Një tjetër argument mbetet edhe blloku i shënimeve të ish ministrit. Pas një kontrolli që bëri në shtëpinë e tij, policia mësoi se Teta mbante të “fshehur” në shtëpi një bllok shënimesh që kishin të bënin me vrasjen e Hajdarit dhe ngjarjet që pasuan. Pasi e panë, ata i kërkuan atij të fotokopjonin vetëm një fletë dhe kërkuan që Teta tu shkonte pas në ndonjë kioskë ku kishte fotokopje. Por pasi Teta nuk pranon të dalë në rrugë me bllokun në dorë, u thotë se do ta fotokopjojë vetë dhe do t’ua dërgonte prokurorëve. Të nesërmen ata nuk presin fotokopjen e Tetës, por shkojnë sërish në shtëpi dhe ia marrin bllokun të gjithë. I pyetur në atë kohë për shënimet e tij, Teta tha se aty kishte shumë të dhëna, të cilat nëse donte prokuroria mund ti shfrytëzonte. Por më vonë ai tha se në ato shënime kishte të dhëna edhe për disa nga pyetjet që ia kishte depozituar gjatë dëshmisë në gjykatë.

Vrasja e Hajdarit – ngjarja e zbardhur për dy orë

Natën e 12 shtatorit, pasi u bë ekzekutimi i deputetit Hajdari para selisë së Partisë Demokratike, çdo gjë dukej se ishte e qartë. Berisha vetë doli në një konferencë për shtyp dhe tha se vrasësit janë pikërisht ata që më pas u akuzuan zyrtarisht nga Prokuroria e Përgjithshme. Edhe pse emri i Jaho Salihit ishte ndër më të lakuarit, ai vazhdonte të punonte në komisariatin e policisë në Tropojë dhe i pacënuar nga askush. I vënë në dijeni për këtë, ish ministri i rendit Perikli Teta kërkon që të arrestohet Jaho Salihi. Por kjo nuk realizohet. Dhe duket se ishte kjo që bëri që Teta më pas të linte detyrën e Ministrit të Rendit dhe anatemohej nga qeveria dhe organi i prokurorisë. Për më tepër për të siguruar një alibi për Salihin u fut në lojë edhe prefekti i Tiranës Taulant Dedja, i cili në atë kohë ishte i dërguari i plotfuqishëm i qeverisë në Tropojë Taulant Dedja. Ai doli garant se kishte qenë me Jahon në Tropojë dhe nuk kishte asnjë mundësi që ai të kishte marrë pjesë në vrasje. Nuk dihet se ku e gjeti kurajon Dedja për të bërë një pohim të tillë, por ngjarjet më pas treguan se kjo nuk kishte qenë e vërtetë. Dhe kjo histori nuk është përfshirë fare në asnjë fashikull të dosjes hetimore. Jaho Salihi ka vazhduar të qëndrojë i qetë në Tropojë dhe në detyrën e shefit të policisë së rendit deri në qershor të vitit 1999, kur përmes një të treti i dërgon komisarit pistoletën dhe radion e policisë, duke njoftuar në këtë mënyrë edhe tërheqjen e tij nga policia. Periudha e heshtjes së shtetit ndërkohë u shoqërua me një seri vrasjesh të tmerrshme në Tropojë. Dhjetra burra, mes të cilëve edhe tre prej personave që kanë qenë në makinë me Salihin në momentin e ekzekutimit të Hajdarit, u vranë njëri pas tjetrit në atentate të bujshme. Një i tillë iu rezervua edhe vetë Jahos ndërsa kthehej natën vonë për në shtëpi, por ai shpëtoi për mrekulli. Personat e akuzuar sot nga drejtësia janë të gjithë ata që përmendi Berisha. Për shumë kohë vetë lideri demokrat refuzoi të bashkëpunonte me drejtësinë për të dëshmuar kundër këtyre personazheve. Por në një moment ai dërgon një seri materialesh në adresë të Ambasadës Amerikane në Tiranë, ku bënte një përmbledhje të kronologjisë së ngjarjes dhe përmendte emrat e përsonave që sipas tij kishin marrë pjesë në vrasjen e Hajdarit. Në mënyrë “rastësore” disa nga këto akuza bëhen publike në shtyp dhe pas kësaj nisi një kthesë në hetimet mbi këtë çështje, të cilat disa muaj më vonë u pasuan me arrestimet e para. Në këto materiale u përmendën për herë të parë edhe emrat e vëllezërve Haxhia, të cilët nga ana e tyre akuzuan Berishën për vrasjen e Hajdarit gjatë një replike të gjatë ne media përmes letrave. Tashmë nuk dihet nëse Berisha do të ftohet në gjykatë si dëshmitar për të thënë se nga i kishte siguarar ai këto informacione. Pasi ka refuzuar disa dhjetra herë ftesën e prokurorëve, nuk dihet se çdo të bëjë me ftesën e gjykatësve, nëse ata do t’ia bëjnë. Por për të dëshmuar, një personazh interesant është edhe Taulant Dedja. Duket se ai nuk ka për tu shqetësuar, pasi hapja e historisë së tij që siguroi alibinë për Jahon, do të hapte një tjetër kapitull me pushtetarë.



Faza e dytë e hetimeve!



Prokurorët kanë deklaruar se kjo është faza e parë e hetimeve. Dhe kjo sipas tyre do të thotë identifikimi, arrestimi dhe dërgimi i vrasësve në gjykatë. Dhe kjo duket se është realizuar më së miri. Ata që u vrarë e kanë mbyllur historinë jo vetëm me drejtësinë por me gjithë çka kjo botë. Ata që janë gjallë janë të arrestuar dhe janë tashmë në bankën e të akuzuarve, duke pranuar me gojën e tyre se kanë marrë pjesë në vrasje. Ndërsa faza e dytë parashikon që të zbulohet motivi dhe kush e organizoi vrasjen. Salihi, Kërnaja dhe dy vëllezërit Haklaj nuk u gjendën rastësisht në makinë. Ata kishin menduar mirë planin dhe kishin ndarë detyrat para dhe pas vrasjes. Por a do të dalin këto në proces? Dhe ajo që është më e rëndësishmja, a do të dalë se përse ata e vranë Azem Hajdarin? Në ditën e parë të procesit Jaho Salihi vetëm sa tundi kokën kur gjykatësit i thanë se akuzohesh për vrasje në bashkëpunim. Deri tani ata nuk e kanë pyetur se përse e vrave dhe a ishe pikërisht ti që e qëllove? Këto duket se janë objektet e fazës së dytë të hetimit, e cila duket se nuk ka për të përfunduar kurrë. Megjithatë pak të ngjarë ka që të pohohet që Hajdari është vrarë sepse ishte deputet apo lider i Partisë Demokratike. Çdo gjë tashmë mbetet e hapur. Pohimet e Salihit do të zbardhin shumë enigma dhe ndoshta edhe një mbërritje surprizë e Izet Haxhisë nga Italia do të plotësonte kuadrin e një procesi të denjë për një ngjarje të tillë. Gjithësesi, një vrasje e përzierë me politikë nuk mund të sjellë kurrë një proces të pa përzierë me politikë.