PRISHTINË, 1 KORRIK - Qyteti shqiptar i Ulqinit mbetet për fillimin e sezonit turistik, vendi më i preferuar për kosovarët. Çdo natë për në këtë qytet nga të gjitha qytetet e Kosovës nisen reth 45 autobusë, ndërsa menjëherë pas tij radhitet Durrësi dhe qytetet e tjera të Shqipërisë, ku numri i autobusëve që nisen çdo natë nga Kosova shkon nga 25 deri në 30 autobusë. Megjithatë, edhe autobusët për në Ulqin edhe për në Shqipëri nuk janë të mbushur përplot me njerëz. “Disponimi i turistëve për momentin është për të shkuar në bregdetin malazias. Për momentin Ulqini është qyteti më i preferueshëm për njerëzit që shkojnë në pushime”, thotë Lulzim Avdiu, pronar i agjencisë turistik “Beli”. Sipas tij, kjo vërtetohet me numrin e njerëzve të cilët udhëtojnë kryesisht me autobusë për në Ulqin dhe në Durrës, “Nga 25 deri në 30 autobusa nisen në mbrëmje nga e gjithë Kosova për në Shqipëri, ndërsa reth 15 autobusë vetëm nga Shqipëria. Për në Ulqin nisen deri në 45 autobusë në ditë. Por nuk janë të mbushur plot”, tregon z.Avdiu. Sipas tij autobusët që nisen për në Ulqin kanë të mbushur me udhëtarë rreth 60 për qind të kapacitetit të tyre, ndërsa për në Shqipëri autobusët udhëtojnë me 40 për qind të kapacitetit të tyre. “Mund të ketë ndryshime tani sepse njerëzit kanë shkuar në Ulqin në dhjetëditëshin e parë. Tashmë ka filluar të rritet numri i njerëzve që duan të shkojnë në Durrës dhe plazhet e tjera të Shqipërisë”, theksoi pronari i agjencisë turistike “Beli”. Të njëjtën gjë e pohon edhe pronari i agjencisë turistike “Shkëndija” nga Gjilani. “Momentalisht njerëzit janë të orientuar me shumë nga Ulqini. Për në Durrës dhe plazhet e tjera të Shqipërisë momentalisht ka më pak të interesuar por po presim të rritet. Që nga dita e djeshme ka filluar të rritet interesimi”, pohoi pronari i agjencisë “Shkëndija”, Metush Bajrami. Sipas tij e njëjta gjë ka ndodhur edhe vitin e kaluar në 15 ditëshin e parë njerëzit më shumë janë orientuar për plazhet e Ulqinit, ndërsa më vonë i janë rikthyer Durrësit dhe plazheve të tjera. Aktualisht sipas tij, për cdo natë për në Ulqin nga Gjilani mund të nisen rreth 20 autobusë, por jo të mbushur plot. Ndërsa pronari i “Kosova Turs”-it thotë se deri në këtë moment më atraktive paraqiten plazhet e Turqisë dhe ajo e Ulqinit. “Momentalisht riviera e Turqisë dhe Ulqinit janë më të kërkuarat. Edhe në Durrës janë duke shkuar njerëzit, por më pak se vitin e kaluar. Sipas tij, problemet që paraqiten për të shkuar në Turqi janë pasaportat e UNMIK-ut. “Duhet me pasë minimum 6 muaj afatin e pasaportës për sigurimin e vizave përndryshe nuk sigurohet viza”, tha pronari i “Kosova Turs”, Hysein Usta Ibo. Vitin e kaluar bregdeti më i preferuar për kosovarët ishte ai i Shqipërisë, derisa gjatë 2001 turistët nga Kosova në shumicë i thithi Ulqini. Këtë vit shumë atraktive sa i përket çmimeve është duke u paraqitur Turqia me plazhet e veta. Për shkak se ka dështuar që të shesë ofertën turistike për shkak të luftës në Irak, pasioni i pushimit në këtë vend është duke u paraqitur më atraktiv se Ulqini dhe plazhet e Shqipërisë. “Shumica e njerëzve do të shkojnë në pushime në bregdetin e Shqipërisë dhe në Ulqin. Në Turqi vetëm një numër i vogël mund të shkojë. Nga 10 fluturime që i ka agjencia “Euro Koha” mund të shkojnë maksimum dy mijë vetë. Kaq mund të shkojnë edhe me agjencitë e tjera”, tha pronari i “Euro Kohës”, Remzi Ejupi.